Pse nuk arrijmë të kuptojmë rëndësin e muzikës së kulturuar…
Pikpamja ndryshe, një pasuri për ne apo një “rrezik” për kulturën shqiptare?
Diversiteti dhe pikpamja ndryshe, një pasuri për ne apo një rrezik për kulturën shqiptare?
Të shumtë janë ato persona me kombësi shqiptare, të cilët përgjatë karrierës time muzikore janë perpjekur herë pas here të më destabilizojnë rreth muzikës që kam zgjedhur të bëj kryesisht!
Unë,
– Kam filluar të studjoj muzikë që në moshë fare të vogël…
– mesimet e para i kam marrë nga im’ atë Gjon Kapidani (kompozitor/orkestrator-dirigjent)…
– më tej kam studjuar 12 vjet pianoforte në shkollën e Muzikës P.Jakova…
– studimet e larta i kam kryer për Kompozicion me prof: Ç. Zadejen…
– më tej kam punuar si arranxhiator dhe orkestrator në RTSh…
Pasioni dhe kureshtja në lidhje me gjuhën e sofistikuar harmonike të kompozitorëve impresionistë dhe më tej të ekspresionistëve, më ka shtyrë vazhdimisht përpara… dhe në njëfar momenti të jetës sime kam ra në kontakt me muzikën Jazz të cilën vazhdoj ta ushtroj sot pasi kjo muzikë është bërë përzgjedhja ime primare.
– Jashtë shteti, në BE, kam bërë mjaft koncerte si perfaqsues i muzikës Jazz i pellgut Mesdhetar. Pikërisht në këtë drejtim kam realizuar disa albume të cilat janë recensuar dhe shiten në vënde të ndryshme të botës….
– Aktualisht jetoj në Shkodër… merrem me mësimdhënie, gjithashtu bashkëpunoj me kolegë të tjerë muzikanta profesionistë dhe amatorë të cilët në tendencat e tyre përmbahet idea për një rekonstruksion koshient muzikor të vëndit në përputhje me disa nga modelet e mira të cilat qarkullojnë sot nëpër institucionet muzikore në botën e përparuar.
E kam fjalën për aktivitete muzikore, festivale, koncerte, forma moderne mësimdhënieje etj.
… dhe pikërisht ndërsa po shkruaj këto rreshta, mëndja më shkon tek panorama muzikore e vëndit tonë.
Kush prej jush arrin t’më thot se në ç’gjëndje është muzika tek ne?
Pyetja është e një rëndësie të madhe, pasi studimet e fundit shkencore / mjekësore rreth muzikës, flasin për benefite të konsiderueshme të shoqëris si rrjedhojë e zhvillimit të trurit të individëve nga praktikimi i muzikës. Kjo gjë, ka një seri pasojash dhe një impakt pozitiv për vetë shoqërinë.
Kësaj pyetje, po provoj t’i përgjigjem unë i pari si profesionist i kësaj fushe.
– – –
ÇORBA:
Në Shqipëri, kultura muzikore është e niveleve minimale!!
Në Shqipëri muzika nuk ka qenë më ÇORBË se sa aktualisht!!!
Tek ne, kjo ÇORBË është e konsumuar ndër lokale, nëpër MEDIA, dhe duket sikur nuk ka vënd për tjetër muzikë!!
Në Shqipëri, diversiteti konstruktiv merret si një tregues negativ, ndërkohë që Tallavaja masive apo “ÇORBA” merr formën e emruesit të përbashkët që bashkon të gjithë “ujqër, dhenë e lakra t’kalbta”.
Prit një minut!
Si nuk paska “tjetër” përveç Tallavitjes?!
Në të vërtetë ka… por numri i kësaj “tjetrës” është tepër i vogël dhe nuk arrin të influencojë as vetë shkollën, prej nga ku edhe rrjedh.
Tek ne, këto 10-15 vitet e fundit, shkolla e kompozicionit ka pësuar ndryshime domethënëse, ndërkohë SHKOLLA e formimit të istrumentistave ka ngelur pothuajse ajo e 50 viteve më parë!!!
Të paktë janë ato instrumentista që (për kuriozitet personal) merren me muzikë bashkohore klasike, ndërkohë që pjesa dërrmuese vazhdojnë të “kalleposen” si tullat përmes programeve demodé të shkollës Ruse që i perket së kaluarës… tip 50 viteve para.
Tek ne, muzika e trashëguar në lidhje me idiomen muzikore, është ose si muzikë klasike (deri tek Beethoven e kusurë), ose Aheng dhe Muzikë popullore.
… pak nga kompozitorët tanë, gjendjen sipër në orbita të super-larta të stratosferës, ndërkohë që pjesa më e madhe e tyre preferon të sillet poshtë brënda atmosferës.
Stratosfera (sipër) = muzikë politonale/modale… Kontemporane.
Atmosfera (poshtë) = muzikë tonale me linja të dukëshme klasicizmi.
Hiqi këto të kompozicionit që sapo thashë…
Nga njëra anë kemi përfaqësuesit e muzikës së kulturuar, instrumentistë të formuar me shkollë klasike, nga ana tjetër kemi dasma dhe shyqyre, një treg i ushqyer kryesisht nga diletantë.
Ndërkohë, mes këtyre dy ekstremeve ekziston një GROPË gjigante brënda së cilës “bredhin” poshtë e lart si fantazma një putpurri kategorish mikse muzikantësh dhe artistësh të cilët publiku i njeh në të shumtën si muzikanta apo këngëtar të së ashtuquajturës: Muzikë e lehtë.
Këtu, në këtë thesin e muzikës së lehtë futen të gjithë ata muzikanta të cilët nuk janë as “KLASIKË” e as “POPULLOR”, por brënda ka prej tyre që janë muzikalisht të formuar, gjithashtu ka edhe plot “kakareça”… ( ! )
Kjo pikë shënon pikërisht kulmin è RRUMPALLOSJES… injorancës si nga ana popullore gjithashtu dhe nga ajo profesionale kundrejt muzikës, e cila siç po e kuptoni, përveç publikut të gjërë kap me vete dhe një pjesë të mirë muzikantash të diplomuar (gjysmakë apo të plotë) të cilët të pafajshëm për gjëndjen në fjalë, janë viktimë brënda kësaj GROPE!!!
– – –
GROPA:
Kjo GROPË, lind si pasojë e injorimit pothuajse total kundrejt të rejave muzikore të cilat erdhen kryesisht si rezultat i dy periudhave historike vëndimtare për formimin e ideve moderne progresiste:
Belle Époque (Francë/Paris = 1871 – 1914) dhe
Harlem Renaissance (USA/NYC = 1917 – 1930), Por nuk mbaron me kaq!
Përgjatë këtyre dy periudhave historike (të cilat për një seri arsyesh gjënden të lidhura mes tyre), shohim të realizohen shpikje dhe zbulime shkencore vëndimtare për mbarë njerëzimin… gramafoni, radio, motori elektrik, penicilina, relativiteti i Ainshtainit, lëvizjet feministe dhe e drejta e grave për të votuar.. etj etj.
Këto gjëra ndodhin nëpër botë, ndërkohë që ne si popull jemi të derrmuar nga 4 shekuj sundim ottoman.
– Muzikalisht, kjo periudhë historike është e mbushur me krijime artistike, të cilat akoma sot shërbejnë si modele studimi. Disa nga këto vepra do bëhen të famshme edhe për publikun e gjërë si p.sh: Ravel (Bolero), Stravinsky (Kremtim i Pranverës)… gjithashtu në këtë kohë lindin kafenetë moderne “Chantane” (kafenetë me spektakle dhe varietete muzikore) në të cilat pak më vonë ndër vite do të luhej muzikë Jazz.
AH, Kjo GROPA!!!
Populli shqiptar i injoron pothuajse në tërësi të paktën dy produktet bazike të këtyre dy periudhave historike:
1: Muzikën Klasike Kontemporane, (e cila e ka zanafillen tek “Belle Époque” dhe arrin deri sot).
2: Muzikën Jazz, (si muzikë e kulturuar e Shteteve të Bashkuara të Amerikës), e cila shërben gjithashtu si platformë e pothuajse të gjitha rrymave komerciale Pop (popular).
Pikërisht kundër kësaj periudhe dhe vlerave të saja, shqiptarët aplikuan një SURROGATO të Realizimit Socialist, i cili akoma edhe sot mbas så vitesh gjen shprehje tek disa mënyra bajate në krijimtarin muzikore autoktone “shqiptarski – çapajev”.
Kjo GROPË në kulturën muzikore të popullit tonë, është një fatalitet, si një “tru ” i lobotomizuar për të cilin shpresat për shërim janë jashta çdo mundësije.
Një vend me një kulturë muzikore të markës Real-Socialiste me trajta të thella prapambetjeje idiomatike deri në analfabetizem muzikor, siç është kjo e jona përgjithësisht, e ka të vështirë të përparojë drejt progresit.
Po pse nuk arrijmë të kuptojmë rëndësin e muzikës moderne (siç mund të jetë p.sh rasti i muzikës Jazz?
Ahhh… Uffff… Hmmmm….
… Sepse që nga vitet 1960 e këtej muzika Jazz u bë muzikë e përpunuar teknikisht, dhe e kulturuar.
Populli arriti ta ndiqte muzikën Jazz deri tek Stili “SWING” i viteve ’30 dhe ’40 i përfaqësuar nga orkestrat e mëdha “BIG BAND” si ajo e Benny Goodmanit ose Glenn Millerit…. ndërsa Stilet e mëvonshme (bebop, cool) patën më pak sukses, dhe duke nisur nga “FREE JAZZ” dhe kontaminimet moderne, Jazzi u bë një muzikë ultra-minoritarie, për vetëm publik të kulturuar.
Pra, arsyeja është e qartë: sa më komplekse të jetë muzika Jazz, aq më pak dëgjues arrin. Për shembull, është shumë më e vështirë të dëgjosh bebop jazz se sa të gjitha veprat e Mozartit.
Harmonikisht dhe ritmikisht, sot (për dijet muzikore që disponojmë), Mozarti është i krahasueshëm me një student mesatar të kompozicionit. Kjo gjë nuk do të thotë “ta hedhim Mozart-in”! JO, kurrë…. gjithashtu, nuk mund të hedhim as Jazz-in modern të John Coltrane (thjesht për injorancë)! Njesoj… për muzikën klasike kontemporane.
OK, tashma e dimë që për pjesen dërmuese e njerëzve, muzika nuk është gjë tjetër veçse një argëtim sipërfaqësor. Njerëzit nuk janë më në kërkim të muzikës sfiduese intelektuale, por u kënaqen melodive tërheqëse pa pretendime artistike.
– – –
… Fundja, popull jemi ne, popull është ai francezi, popull ai turku, popull ai Mazai… etj. Të gjithë kanë Rite me muzikën e tyre… Ndërsa populli i prendimit, perveç muzikës popullore/folklorike, ka krijuar edhe muzikën klasike, atë të elitës. Gjithashtu, kultura elitare klasike është perzi me Ritet Afrikane dhe ka nxjerrë në dritë muzikën Jazz.
Kjo do të thotë se, populli është si ta mësosh (apo si të mësohet):
… I dhe Jazz, do mësohet me jazz dhe do jetë në gjendje të ndjekë deri në njëfarë pike gjithashtu muzikë të kulturuar…. Këtu futen në lojë institucionet, Teatrot, Shkollat, Kurset etj.
… I dhe Tallava, do mësohet me shijen e qofteve, me batutat e shyqyreve dhe rrjedhimisht ka për të injoruar muzikën e sofistikuar.
dhe…..
… Kur kultura mungon, populli ka tendecë të pjelli Elita me probleme! .
… Elita krijon modele, (pjesëtarët e saj i gjen nëpër shkolla etj…) ose nuk krijon… apo edhe mund të shkatërrojë.
… por nuk dua të shkëputem nga muzika.
Fundja,
Unë jam krejt koshient dhe i sinçertë kundrejt muzikës dhe kam bindjet e mia të bazuara mbi studimet dhe eksperiencën personale, që muzika është e domosdoshme për botën sepse është e natyrshme për ne, gjithashtu sepse ajo përmbush qëllime të ndryshme, të gjitha të rëndësisë parësore në raport me njeriun.
– – –
Ne si vend, e kemi të domosdoshëm ballafaqimin me botën e qytetëruar moderne. Si rrjedhojë duhet t’i hapim dyert muzikës bashkohore klasike, Muzikës Jazz dhe Artit modern pa frikë, por me vetëdije.. . Nuk duhet t’na frikësojë piktura e Picasso-s apo
modernizmi i grafikave të Escher-it…
… Të ashtuquajturat “dizonanca” të pa kuptueshme për një vesh mesatar tek një dëgjues, janë fatkeqësi dhe handicap tek një muzikant që pretendon të jetë instrumentist sot.
Prandaj shkollat tona muzikore janë objekt rinovimi, proces ky i cili duhet të shikohet me inteligjencë dhe me kujdes nga profesionistët e sektorit. Ky proces kam përshtypjen se është i pashmangshëm… (nëse si shoqëri duam të ecim përpara).
…
Ka ardhë koha me ndrru…
…
MK