Profesioni muzikant, muzikanti Amator dhe Diletanti në muzikë! Si t’i dallojmë ato.
—-
Termi “amator”, si termi “diletant”, perdoren për të treguar ata persona që kryejnë një aktivitet për kënaqësi (sepse “e duan”) dhe pa qëllim përfitimi. Gjithashtu (opinioni e do që) amatorët nuk kanë pretendime të karakterit profesional. Zakonisht amatori injoron atë që profesionisti di. Kështu që, qëndrimi “profesional” pozicionohet në të kundërtën e Amatorit.
Profesion (Professus) = zanat apo aktivitet i deklaruar me qëllim përfitimi… nga ku rrjedh Profesional: që i di sekretet zanatit.
Duke pasur parasysh këtë përkufizim, ne gjithashtu mund të identifikojmë se kush qëndron në të kundërtën e profesionistit…. dmth është Diletanti… dhe mund të dallojmë se çfarë shkalle të injorancës i përket ky i fundit! Gjithashtu mund të vëndosim në krahasim Amatorët dhe Diletantët për të parë se a janë apo jo në të njëjtin nivel kundrejt një profesioni të caktuar.
Simbas Karl Popper (filozof i kohëve moderne të shekullit XX):
Injoranca e vërtetë nuk është thjeshtë mungesa e dijes,
por pikë së pari është refuzimi për ta përvetësuar atë (dijen).
Në fakt, ekzistojnë të paktën dy lloje të injorancës:
1- ajo e personave të cilët janë të ndërgjegjshëm që dija supreme është një Utopi, (siç është rasti i profesionistëve të cilët e dinë se ka fusha ose sektorë në të cilët nuk janë kompetentë)
2- ajo e atyre që besojnë se dinë gjithçka, kështu që nuk ushtrojnë më kuriozitetin e tyre dhe nuk kanë mëndje të hapur për t’u habitur nga opinionet e ndryshme nga ato të tyret.
Duke marrë shkas nga ky arsyetim, mund të bëjmë një dallim midis amatorit dhe diletantit:
Amatori ndoshta nuk i ka të gjitha aftësitë teknike të kërkuara nga standardet profesionale, por – të paktën – “e di që nuk i din të gjitha”, (pra, është i ndërgjegjshëm për limitet e tija), i njeh kufijtë e tij dhe admiron dhe respekton ata që dinë më shumë se ai. Simbas filozofit Karl Popper, ajo e amatorit është një injorancë pozitive: është një injorancë e përkohëshme, e cila tendencialisht reduktohet me kalimin e kohës, sepse “Amatorët” janë të prirur të mbushin boshllëqet e tyre. Në këtë kuptim, muzikantët amatorë janë publiku, studentët, mbështetësit e parë të profesionistëve të mirë: ata frekuentojnë kurse (dhe dërgojnë edhe fëmijët e tyre në kurse muzikore), në koncerte, blejnë disqe, CD, instrumente dhe partitura… janë kureshtarë, të vëmendshëm dhe kanë dëshirë të luajnë gjithnjë e më mirë dhe të dinë gjithnjë e më shumë për hobin e tyre fantastik: muzikën.
Pavarësisht se termi Amator me termin Diletant në shumë raste janë të këmbyeshëm, gjithsesi jemi të prirur të bëjmë një dallim mes tyre:
Amator = që don (dashurues)
Diletant = (delizia) që ja kande.
Fundja është lojë fjalësh (mund të thoni ju), por sa më të sakta të jenë konceptet, aq më të kuptueshme do t’jenë dhe fjalët që përdorim.
Një Diletant – në kuptimin nënçmues të termit – është një person që “nuk e di se nuk e di”. Ky lloj individi shpreh forma të theksuara mitomanije dhe ka të ngjarë që të jetë pre e efektit “Dunning-Kruger”, një shtrembërim konjkitiv për shkak të së cilit individët më pak ekspertë të një fushe priren të mbivlerësojnë aftësitë e tyre duke e vetëshpallur veten (gabim) si super ekspertë …
Nga Wikipedia:
Dunning-Kruger (EDK) është një shtrëmbërim mendor në të cilin individet jo eksperta në një fushë të dhënë tentojnë të mbivlersojnë veten si “superiorë”…
… (ndërsa dihet mirë që njerëzit me të vërtetë kompetentë kanë një tendencë për të nënvlerësuar kompetencën e vërtetë të tyre).
Si rrjedhojë, personat që vuajnë nga deliri i madhështisë, shpesh herë rezultojnë të jenë jashtëzakonisht të rrezikshëm për shoqërinë (për shembull, thuhet për tifozët se “ata janë të gjithë trajnierë apo arbitra”). Dhe është pikërisht ajo që ndodh sot në fushën e muzikës, ku persona mediokër, por tepër të sigurt në idiotësinë e tyre, propozojnë veten si “të mrekullueshëm” në një treg shpesh herë gri, apo totalisht të zi për të mos thënë të dhjerë (sa për të përdorur një “francezizëm”), me qëllim për të ulur nivelin Artistik, për ta sjellë atë tek vetja e tyre. Për t’ja arritur kësaj, ata bëjnë akrobacira politike nga më të ndryshmet sa për ti hedhur pluhur syve të opinionit publik, me të vetmin qëllim që ata që janë në qendër të vëmendjes: Gjeli përmbi Pleh!
Vetë lavdërimi në sy të tjerëve është një sjellje tipike e Diletantave të cilët nuk lënë rast pa i thurë lavde vetes dhe punës së tyre që (simbas tyre) është ajo më e mira, e përkryera dhe……… në mbrojtje të traditës!! Tani, kini kujdes sepse ky term: (Tradita) është me rëndësi të veçantë për Diletantin delirues, biles ky term ka VLERA JETIKE për të!!!
Kjo ndodh sepse në emer të “mbrojtjes së traditës”, Diletanti fsheh pa-aftësitë e tija për t’u përballur me sfidat e kohëve moderne. …. Konkretisht: në muzikë, diletanti refuzon çdo risi që sjell koha, nën pretekstin se: “Po na prishet tradita”!!! Ndërsa në të vërtetë refuzimi i të rejave nga ana e tij është pikërisht për injorancë, pa-aftësi me ecë përpara me kohën për me rrokë sfidat e kohës në të cilën jetojmë.
Kjo sjellje e Diletantit është mjaft negative pasi rrafshon talentin dhe në vend të tij promovon një “Shpirt popullor Diletantesk” të bazuar pikërisht në injorancen popullore.
Të kuptohemi, populli i do traditat, dhe automatikisht është i prirur ti mbrojë ato…. sidomos kur në mbrojtje të tyre marrin qëndrim persona opinioni i të cilëve ka peshë. Populli, është i prirur me besue (të vetët), prandaj krijon Eliten e vet për me ja lanë në dorë fatin… . Populli nuk ka pikë faji.
Por gjithsesi problemi qëndron, dhe çmos kurr ky problem është në lidhje me Diletantin karrierist i cili në të shumën shfrytëzon opinionin publik duke e manipoluar atë.
Prandaj:
Ju ftoj të reflektoni rreth tre pyetjeve të mëposhtme:
– Kush janë “artistët” që mbrojnë me të vërtetë traditën?
– Kush janë “artistat” që në Emër të Traditës sakrifikojnë të tashmen?
– Kush janë “artistët” që e refuzojnë traditën në Emër të Modernes?
Mendimi im është që :
– Traditën e mbrojnë ato Artistë të cilët dinë ta risjellin atë në kohët e sotme.
– Ato të cilët refuzojnë muzikën moderne për hir të asaj tradicionale, janë Diletantat të cilët duke mos ditë me ba muzikë me parametra modernë, kacavirren tek “tradita” e cila simbas tyre është ajo që muzikalisht tingëllon “thjeshtë”, “me dy akorde”, pra i bie që tradita të jetë muzikalisht e mbrapambetun…!!! Në fakt, tradita nuk është vetëm kenga me dy akorde, përndryshe “vaj medet hallit”. Është gjithashtu traditë dhe muzika e përpunuar nga autorë si p.sh Ç, Zadeja apo T, Harapi etj …. Muzika e tyre është pjesë e traditës së muzikës së kulturuar. Gjithsesi, për Diletantin, tradita është….
… diçka afër injorancës së tij, përndryshe, “i rreshqiti filmi”.
– Ato të cilët e refuzojnë traditën për hir të modernes janë jashtëzakonisht pak…. mbasi pa Traditë nuk mund të kesh zhvillim. Askush nga kompozitorët seriozë, nuk ka pasë shans me u rritë artistikisht pa u brumosë ma përpara me traditen e vet. Personalisht, në albumet e mia muzikore, mes eksperimenteve të ndryshme, vazhdimisht kam ngjyer duart tek tradita… Gja kjo që dallohet që tek titujt e disa albumeve të mija si:
*Balkan Piano-*Balkan Bop etj.
Aktualisht tek ne ka mjaft Artista që jetojnë në të tashmen dhe që luftojnë për të rinovue traditën duke e pasunue atë me VLERA të reja, (duke sjellë risitë që ofron KOHA JONË Sot: Koha në të cilën ne jetojmë). Kjo është pikërisht sjellja korrekte kundrejt vlerave artistike të përcjella nga Tradita e cila vjen sot tek degjuesi simbas parametrave të sotëm të kohës në të cilën jetojmë.
… Besoj se tashma e keni kuptuar se ku qëndron problemi …
– nga njëra anë pozicionohet profesionisti.
– në mes gjëndet Amatori.
– në anë të kundërt rri Diletantin delirant (i kamufluar si “Super i kuakifikuar”).
– Në lidhje me amatorët, ata mund të luajnë një rol të rëndësishëm dhe të bëhen shëmbull dallues i talentit të vërtetë që dallohet nga të tjerët, pasi “janë amatorët ata që formojnë opinionin publik muzikor”. Jo vetëm kaq: por bashkëpunimet ndërmjet profesionistëve dhe amatorëve duhet të bëhen gjithnjë e më të rëndësishme sepse falë kësaj gjëje shtohen shanset që nesër të lindi një muzikë gjithnjë e më e mirë…. Që nesër, mitomanët diletantë të rrijnë sa më larg institucioneve artistike… .
Ndërkohë promovimi i projekteve diletanteske është veçse humbje kohe dhe ecje mbrapa…
Nga ky ligjërim, ne mund të nxjerrim edhe një përfundim tjetër.
Çdo mjeshtër dikur ishte fillestar. Çdo mësues, dikur ishte nxënës.
Çdo profesionist dikur ishte amator…!!! Amator amà….
Çdo profesionist e di shumë mirë që di shumë gjëra, mbasi është ekspert në fushën e tij. Por pikërisht për këtë arsye ai e di gjithashtu se ka shumë kufij dhe se ka shumë gjëra që ai ende nuk i di ose nuk mund t’i bëjë. Në të vërtetë, mund të themi se: sa më shumë që rritet njohuria dhe bëhet “profesionale”, aq më shumë individi ndërgjegjësohet për injorancën e vet.
Profesionistët paguhen për performancën e tyre, sepse dihet – mëndja e tyre është trajnuar në studimet e thelluara…. në këtë vazhdë, amatorët janë të prirur për të ndjekur shëmbullin e profesionisteve, ndërsa diletantat… kurrën e kurrës.
E parë gjëja në këtë këndvështrim, ndërsa Diletantat rrijnë në vënd numëro, amatorët kanë tendenca për të vazhduar në thellimin e njohurive të tyre – dhe ka mjaft raste ku ata janë kthyer nga amatorë në artistë të mëdhenj apo shkencëtarë, filozofë, sportistë të mëdhenj etj.
Si përfundim, dallimi i vërtetë midis diletantave nga njëra anë – (të vetë-kënaqur me injorancën e tyre) – dhe amatorëve (që duan të rrisin njohuritë e tyre) – në lidhje me profesionistët (të cilët ngelen gjithmonë kureshtarë për të mësuar më shumë dhe të vetëdijshëm për kufijtë e tyre)….
Dallimi i vërtetë është ai “Shpirtëror” mes personave që: nga njëra anë duan të marrin njohuri të reja dhe në të kundërt të atyre që, nga ana tjetër, mbivlerësojnë aftësitë e tyre, duke e konsideruar veten gabimisht si ekspert dhe duke sakrifikuar të tjerët në altarin e mëndjemadhësisë së tyre.
Markelian Kapidani