Dizzy Gillespie – Con Alma (live) (1954)
“‘Con Alma’ – kjo pjesë muzikore e shkruar nga Dizzy Gillespie në vitin 1954, është një përzierje mjeshtërore e tingullimeve të xhazit të shteteve të bashkuara me pulsacionet ritmike të muzikës afro-kubane. Muzika e këtij artisti rinovues mishëron tingëllime të thella emocionale dhe përmban gjithashtu implikime kulturore të ndryshme. Con Alma, është muzikë e cila përmes atmosferave harmonike soditëse dhe melodisë introspektive e rrëmben dëgjuesin dhe e projekton atë drejt peisazheve ekzotike të imagjinatës.
Struktura e kësaj pjese tregon aftësitë e sofistikuara kompozicionale dhe arranxhuese të Dizzy-t i cili i influencer nga ritmet komplekse afro/kubane arrin të ndërtojë sipër tyre forma melodike soditëse (në një lloj kontrapunkti me to) e cila krijon një ndjesi pluskuese: sikur lundron melodia përmbi pulsacionet ritmike.
Harmonikisht, ndjehen mirë tingëllimet Jazz dhe mes tyre del në pah ndërveprimi midis instrumentit të Trombës dhe Pianofortes në një binom qendror të përformancës. Gjithashtu çdo instrument që merr pjesë në arranxhim, dialogon në mënyrë të ndërlikuar me të tjerët duke krijuar një ndërveprim harmonik mahnitës. Ky regjistrim audio / video dëshmon rolin vëndimtar të Dizzy-t si pionier dhe rinovues i muzikës Jazz përmes integrimit të tingujve globalë mes kulturave të ndryshme muzikore. Rasti konkret dëshmon për lidhjen e fortë dhe tendencën e tij në procesin e përfshirjes së elementeve latine në fluksin Be-bop.
‘Con Alma’ është një perlë e vogël muzikore e cila dëshmon për aftësinë e Dizzy-t për të endur brënda së njëjtës telajo muzikore ndikime të ndryshme të cilat rrijnë së bashku jo sepse janë përdorur ashtu thjesht sa për të qëndruar për bri mes tyre, por sepse ato janë të pleksura mes njëra-tjetrës në një tërësi koherente e cila bashkon gusto të rafinuar dhe mjeshtëri kompozicionale. Kjo pjesë e Gillespie-t ngelet një pjesë e dashur për publikun e muzikës xhaz, dhe përmendet si një shembull pozitiv për bukurinë e saj lirike dhe për zgjuarsinë ritmike. Puna e Gillespie-t është shembulli konkret se si në muzikë mund të ndërtohen “ura” që lidhin botë të ndryshme kulturash. Rasti konkret i pjesës ‘Con Alma’, dëshmon atë fuzionin tipik (i quajtur “melting-pot”), ku karakteristikat e xhaz-it të traditës USA përzihen me ritmet e muzikës së Amerikas Latine. Nga kjo qasje e tij, Dizzy bëhet Mësuesi ynë që hap rrugë të reja muzikore për një Jazz i cili është i aftë të rrëmbejë skenën globale. ‘Con Alma’ është më shumë se një pjesë muzikore; është një eksplorim i mardhënieve shpirtërore që muzika mund të krijojë duke shkapërcyer kufijtë ndërmjet kulturave të ndryshme …
MK