Refleksion rreth krijimit të Orkestres permanente Sinfonike në Shkodër
Më në fund u bë i mundur rikthimi permanent i Orkestrës Sinfonike të qytetit të Shkodres. Ky event rihap një seri problematikash rreth së cilave ja vlen të hapet debat.
Duke ndjekur aktivitetin e saj, si dhe duke diskutuar mes kolegëve muzikanta, kam arritur të krijoj një panoramë të përgjithëshme “rreth gjësë” të cilën po e ndaj me ju të grupit: Muzika e shpjeguar.
Pa dashur të futem në analizën e Dy koncerteve të para të kësaj Orkestre (rreth të cilëve kam rezervat e mia si teknik i zanatit… ), po limitohem t’ju paraqes disa ide të cilat besoj se janë të dobishme për rritjen dhe konsolidimin e kësaj Orkestre, gjë kjo të cilën të gjithë e duam.
Aktualisht Orkestra Sinfonike nuk ka një sallë të dedikuar për prova!… keshtu që muzikantët janë të detyruar të provojnë në ambjentet e Stadiumit! Kjo gjë ka pasojat e veta. Është kulmi që një Orkestër të mos ketë sallën e vet.
Orkestrantët paguhen me honorare. Si fillim, kjo zgjidhje është OK, por nuk mund të durojë gjatë! Lypet sa me shpejt një zgjidhje financiare e cila të ngrejë nivelin e pagës së artistave të Orkestres në një nivel të pranueshëm. Përndryshe, ekzistenca e kësaj Orkestre ka për t’u rrezikuar shumë shpejt.
Pamvarësisht nga dëshira pozitive e qytetarëve dhe profesionistëve për ri-ngritjen e Orkestrës në formatin permanent, problemet rreth saj janë akoma në një stad embrional!
Çdokush nga ne mund ti bëjë pyetje vetes:
– Për çfarë duhet Orkestra?
– Si mund t’i shërbejë ajo komunitetit tonë?
– A jemi ne të aftë ta mbajmë atë në standardet e duhura?
Këtu poshtë po mundohem të përgjigjem dhe të komentoj rreth ketyre pikave…
Në fakt, prania e Orkestrës në qytetin tonë nuk është diçka e re! Përkundrazi. Ajo ka një traditë të fortë në këtë qytet…. Duke marrë fillimet e saja në formë amatoriale… me vënien në skenë të Operas së parë… me punën e palodhur të figurave si Prenkë Jakova… Gjon Kapidani… Jetmir Barbullushi… etj deri tek Kujtim Alia, ku ky i fundit me sforcot e tija të vazhdueshme arriti ta mblidhte herë mbas here Orkestrën edhe mbasi ajo i pati mbyllë punët që në momentin e shëmbjes së diktaturës dhe ardhjes së “demokracisë”.
Orkestrat janë “krijesa” të sofistikuara të shoqëris njerëzore. Vetëm vëndet e përparuara e dinë vlerën e saj.
Sa për kujtesë: Muzika e kultivuar është shënjë qytetërimi i avancuar. Muzika e mirë e fisnikron njeriun… dhe një Orkestër Sinfonike është “Qerrshia përmbi Tortë”.
Prandaj për t’i dhënë përgjigje pikës së parë: PO. Shkodrës i takon me pasë Orkestrën Sinfonike. Na duhet Orkestra jonë
—
Orkestra i shërben qytetit tonë duke risjellë tek spektatori muzikën që na lanë si Trashëgimi themeluesit e muzikës Shqiptare:
Prenkë Jakova
Tonin Harapi
Çesk Zadeja
… e sa e sa të tjerë të cilët me kontributin e tyre ngritën Shkollat tona muzikore.
Gjithashtu, Orkestra shërben për të luajtur muzikën që ne kompozitorët e rinj shkruajm sot. Unë si kompozitor i ri, personalisht kam nevojë për Orkestren që të mi luajë pjesët e mija. Si unë ka plot të tjerë që aktualisht shkruajn muzikë dhe që kan nevojë për Orkestrën si “Laborator Muzikor”.
Orkestra na duhet për të ngritë cilësisht produksionet muzikore, përmes Festivalit Luleborë apo aktiviteteve tjera si Ndërmendje etj.
Orkestra ka për t’i shërbye qytetit tonë si EKSELENCA konkrete.
—
Normalisht që nuk mjafton vetëm krijimi i saj bashkë me dëshirat dhe aspiratat tona…. Shkodrës i duhet një Orkester me parametra moderne. Nuk mund të vazhdojmë dhe të mburremi vetëm me faktin se: “E KRIJUAM ORKESTREN”…
… Sukses i madh … etj etj, ty u fry kot, si gjeli…. Dikur, ne në Shqipni ishim të mbyllur, prendimi na bënte “Embargo”. Si rrjedhojë nuk ja kishim idenë standardeve të larta që kishte kapë bota, ndërkohë që tek ne, shumica vazhdonin të shkruanin muzikë me parimet e Realizimit Socialist. Sot, jemi në kontakt me gjithë globin… Kjo do të thotë të kesh info për shumë gjëra (fut këtu edhe muzikën) Prandaj nuk mund të kesh më Orkestra Sinfonike amatore me tingëllime të viteve 1940, ndërkohë që rreth e rrotull ndeshemi me një realitet i cili na plas përballë “mrekullina” në fushën e muzikës!!!
Këtu poshtë, rreth kësaj pike, mund të lexoni disa nga idetë që unë bashkë me disa shokë muzikanta i kemi lakuar këto kohët e fundit.
– Menyra e manaxhimit
Nuk është e mundur që nga njëra anë të mbahet në këmbë një Orkestër Sinfonike e cila synon të arrijë nivele profesionale, ndërkohë që nga ana tjetër paga e instrumentistit është një honorar modest prej 8.500 lekësh!
Në këtë vazhdë mendoj se një rrugë e mirë për ngritjen e pagës në fjalë do të ishte me interes futja në lojë me investim e sektorit privat, si p.sh ai bankar, përmes krijimit të një Fondacioni për Orkestrën. Kështu, Orkestra Sinfonike mund të ketë në repertorin e saj Dy mënyra: Një program kryesor në perputhje me kërkesat profesionale për aktivitetet kryesore nën drejtimin e Bashkisë, dhe tjetri, një program më heterogjen dhe më i lehtë me pjesë të përshtatëshme për, pritje kortezie, festa Galà etj, simbas kërkesave të fondacionit.
– Perzgjedhja e repertorit është me rëndësi të madhe. Një Orkestër që pretendon të quhet profesioniste, nuk mund të fosilizohet duke u fokusuar vetëm tek repertoret klasike tradicionale etj. Pikërisht për këtë arsye, do të ishte gabim sikur orkestrantët e Orkestrës në fjalë të mos aktualizoheshin me teknikat e lojës muzikore të sjellura nga muzika bashkohore! Sot në të tashmen, një mangësi e tillë e ul direkt kualitetin e Orkestrës duke e klasifikuar atë në nivel amatorial, nën mesataren e kërkesave të standardeve sot. Pikërisht nën këtë këndvështrim, duhet bërë një punë e madhe në lidhje me “aktualizimin” e lojës orkestrale kundrejt teknikave moderne të sjellura nga muzika kontemporane.
Kjo gjë arrihet gradualisht duke futur në repertorin e Orkestrës, pjesë muzikore të shkruara nga autorët bashkohorë shqiptar dhe të huaj, gjithashtu duke i ftuar pjestarët e Orkestrës në takime të posaçme ku të trajtohen të tilla tema aktuale në lidhje me muzikën bashkohore.
– Tendencat e sotme të muzikës në botë janë të shumellojëshme: nga eksperimentet hibride me elektro-akustikën… tek muzika eksperimentale e avangardës.
Në historinë e muzikës, muzika klasike bashkëkohore ose, më thjesht, muzika bashkëkohore, fillon me muzikën e kompozuar nga fundi i Luftës së Dytë Botërore e deri më sot. Gjithësesi, kjo muzikë është pa dyshim jashta kapacitetit të Orkestrës tonë. Biles, (duke e hapur “lojën”) edhe Orkestra e RTSh-së e ka të vështirë të përballojë repertore me muzikë kontemporane (pa u hasur edhe ajo me probleme konkrete) në lidhje me lojën muzikore….. jo më Orkestra Sinfonike e Shkodrës. Personalisht kam vënë re vazhdimisht probleme, kur orkestrantët tanë janë vënë përballë arranxhimeve me tingëllime Jazz apo me gjuhë harmonike dhe ritmike të evoluar. Kjo gjë tregon mangësi në formimin e muzikantëve tanë në përgjithësi, jo për fajin e tyre, por për mangësi të shkollave tona. . Konkluzioni është që, ka ardhur koha që të përballemi me këto probleme dhe ti zgjidhim. Përndryshe nuk ka sens të humbim kohën kot me aktivitete që nuk ecin në këtë drejtim.
—
Këtu po e mbyll shkrimin tim, me shpresë që të komentoni në formë konstruktive
Markelian Kapidani