… një histori imaginate përmes koncertit numër 2 Rachmaninov – (nga eksperienca e jetës tek “endrra”)
Kush e ka på filmin: Legjenda e Pianistit mbi Oqean?
Është një film i regjizorit Giuseppe Tornatore, me subjekt të adaptuar nga një punim i vogël teatral i dramaturgut Alessandro Barícco me titull: Novecento. Muzika e filmit është shkruar nga Maestro Ennio Moricone.
Filmi ja vlen të shihet pasi është interesant, plot jazz, humor, dhimbje… emigration… si dhe pershkrime ngjarjesh nga mënyra e jetës që bëhej në fillimet e shekullit XX.
Në të vërtetë në këtë post nuk dua të flas për filmin, por për një vepër muzikore e cila nuk a asnjë lidhje të dukëshme me të! E kam fjalën për Koncertin numër 2 për Pianoforte dhe Orkester të kompozitorit Rus: Sergei Rahmaninov. Kjo vepër, e cila për nga stadi teknik pianistik qëndron mjaft lart nga pjesa më e madhe e repertorit pianistik, për pianistat përbën “arritjen finale”. Them kështu, mbasi teknikisht, është e pamundur që dora e njeriut të lozë mbi piano muzikë më të vështirë. Personalisht, pianizmin e Rahmaninovit dhe të Ravelit, unë i vendosi në majë si forma më ekstreme e virtuozizmit pianistik.
Gjithashtu, muzika e këtij koncerti është një mrekulli, një “gezim” për veshin dhe një “kurë” për shpirtin.
Thuhet se Rahmaninov e shkruajti këtë koncert simbas sugjerimit të mjekut Nicolai Vladimirovič Dahl, neurolog dhe psikiatër rus, tek i cili Sergei kishte kohë që shkonte për të kuruar një depresion të fortë të shkaktuar nga “disfata”, prej mospëlqimit të sinfonisë së tij nga publiku. ..
Por, ç’lidhje mund të thoni ju, ka ky koncert madhështor me një film Hollywood-i të viteve të fundit?!
Në fakt, një lidhje edhe mund ta ketë!
Në film, mes tjerash flitet për emigracionin e fortë të atyre viteve drejt shteteve të Bashkuara. Në një prej skenave të filmit, tregohet se si njerëzit (përgjatë gjithë udhëtimit me anije) prisnin me padurim të shikonin brigjet e Amerikës, (sinonim shpëtimi)… dhe zakonisht ishte njëri nga emigrantët i cili duke pikasur me sy nga larg “truallin e botës së re”, gërthiste: America, America…
Tani, duke parë para shumë vitesh këtë skenë filmi, se si mu ngatërrua në mëndje Koncerti numër 2!!!… Kryesisht për tingëllimet e veçanta të temave, por edhe për idiomën harmonike të përdorur tek ky koncert nga kompozitori!!! Ka një ndryshim tingëllor ky koncert i cili për këto arsye, dallohet nga të tjerët (Rahmaninov ka shkruar 4 koncerte për piano dhe orkester).
… dhe me të vërtetë, po ta dëgjoni këtë koncert me vëmendje, do ndjeheni të futur brënda trazirave njerëzore, ku një ndër to është emigracioni… Do ndjeni ankthin dhe vuajtjen shpirtërore të Rahmaninov… por jo vetëm ankthin e tij. Me vonë e kam kuptuar përsenë e kësaj lidhjeje intime që kam me këtë vepër. Kështu, me kalimin e viteve, në mëndjen time janë perzier shumë përjetime, duke filluar pikërisht me vuajtjet e sistemit komunist, i cili në atë kohë nuk më lejoj ta luaj këtë vepër mbasi, një X person u ngrit në mbledhje të drejtoris dhe tha: Rahmaninovi ka tradhëtuar idealet e Revolucionit Rus, mbasi ka emigrue në USA. Kështu, ai është “armik” i doktrinës komuniste, rrjedhimisht është armiku ynë! Kështu, ëndrrës time për ta luajtur këtë koncert, ju vu kapaku i censurës albanistanase. Më tej, jeta më vuri përballë emigracionit … Ika: fillimisht në Itali dhe më tej në Zvicër…
—
Diku andej nga vitet 2018-19, (si nostalgjik që jam) e rimora në dorë këtë koncert me qëllimin për ta luajtur në publik. Ndërkohë u fut në jetën tonë pandemia,… Unë vendosa të kthehem në Shqipëri. Kështu që kjo anderr me sa duket ishte e shkruar të mos realizohej. Normalisht duhet të kuptoni që loja e një vepre të tillë kërkon një impenjim total të forcave fizike dhe mendore, n’sa aktualisht nuk e kam atë luks, sa të lë çdo aktivitet tjetër, për t’u koncentruar në realizimin e një andrre tashma të tretun, mbasi mes tjerash, në realitetin ku jetojmë, sforcoja ime do kishte efekt pothuajse të barabartë me zero. Nuk duhet të harrojmë se jetojmë në një vënd problematik i cili ka konflikt të madh me muzikën e mirë.
Sidoqoftë, për dy vite me rrallë studjova Koncertin nr 2 si dhe Gaspard de la Nuit të Ravelit, për të cilën do ju flas një tjetër herë.
Studimi si pianist (meqë në ato momente të jetës kisha kohë boll) më shtyu ta analizoj këtë vepër në çdo detaj. Më tej, krijova një histori e cila simbas meje i rri kësaj muzike si kostumi modelit përkatës.
Analiza ime e Koncertit numër 2 nga Sergei Rahmaninov, është një spekullim imagjinar të cilin dua ta bashkëndaj me ju…
—
-Koncerti fillon me disa akorde madhështore të zymëta, si “rënia e këmbanave për mort”, të cilat anuncojnë fillimin e një epoke të zymët plot vuajtje…
-Në këtë zynmtësi, fillon hyrja orkestrale e Kohës së Parë (formë sonate):
… e cila me tinguj marcialë dekreton fillimin e një beteje të ashpër …
-më pas, nis dhe tingëllon trishtëm në orkester një melodi e shoqëruar me arpezhe të stërmëdhaja pianistike: Tema kryesore, e cila zhytet på shpresë në zymtësinë harmonike të pianofortes e cila menjëherë pas Temës kryesore, tenton të kundërshtojë gjëndjen pesimiste të krijuar…
-Një vrull pianistik, si një rrebesh i shpejtë notash, mundohet të shplajë këtë situatë (parti lidhës).
-Ndërkohë në mëndjen e artistit lind idea e një shprese: Është Tema sekondare (e luajtur nga Pianoforte), plot me dritë, andrrimtare dhe shpresëdhanëse… kjo Temë përfundon me atmosfera Jazz, (tingëllime të një toke të re, influenca muzikore nga prendimi i atyre kohërave)… – Por realiteti i zymët e mund sërish dritën e andrrës (part lidhës).
-Perpunimi (pjesa e mesit) zhvillohet përmes lëvizjeve të shkathta pianistike të cilat duket sikur shprehin përpjekjejet e njeriut me zymtësinë që e rrethon, për të shpëtuar nga ajo…. dhe Pianoforte kthehet në një njeri të mirë që lufton për të mbijetuar… por realiteti është i ashpër dhe “kthehet” për t’i thënë se: “këtu nuk ke shpëtim”.
-Jemi tek Repriza, e cila me tonet marciale të Hyrjes, anuncon premisa për luftë…. Tani, për të dyten herë, shfaqet:
-Tema kryesore e luajtur nga Pianoforte, e cila lëviz “trishtshëm” mbi tastierë, duket sikur personifikon një person pre e sensit të panikut nga ikja (apo braktisja på dëshirë kundrejt diçkaje, dikujt… vëndit të vet).
-Tema sekondare shpresëdhënëse (në Reprizë) tenton të rishfaqet, por nuk arrin, pasi tashma nuk ka ma kohë për të andrrue, duhet veprim…
-Koda shfaqet në mes të atmosferave akordike jazz: është një material muzikor i shpejtë dhe i shkurtër i cili duket sikur tregon njerëz që po ikin diku me nxitim…
—
Koha e Dytë (tre pjesësh), nis me një copëz muzikore orkestrale e cila shërben për të ndërruar tonalitetet…
Tema e kësaj kohe, është ajo që shumica e publikut e njeh me titullin: All By Myself, (këngë e ndërtuar pikërisht përmbi këtë Temë).
– Tema (pjesa e parë) është plot me shpresë, ajo shoqërohet nga arpezhe påfund në dorën e majtë… Sensacioni që jep në këtë rast muzika e prodhuar, është si “barcarola” (pershkrimi muzikor i një udhëtimi përmbi uj: konkretisht “mbi Oqean” )… Kështu kemi, valët e avashta të arpezheve të dorës së majtë që shoqerojnë Melodinë herë tek Orkestra e herë me kobteapunkte tek dora e djathtë e cila mbërthehet ritmikisht tek e majta dhe “lundron” e kapur mbas arpezheve, (ashtu siç lundron Anija përmbi valë).
-Zhvillimi tematik kalon nëpër atmosfera të ndryshme sa të zymëta, po aq edhe me dritë, të cilat krijojnë tek dëgjuesi idenë e pështjellimit, një miks mes reales me fantazinë… është një gjëndje kllapie me ankth, (një udhëtim me vuajtje)… por me nota të forta shprese… Kjo shpresë vazhdon dhe rritet,… dhe ndjejmë se si intensifikohet teknikisht loja përmbi pianoforte… (pjesa e mesit)… deri në atë pikë kulminante shperthimi… kur dikush nga udhëtarët thërret duke e pre ajrin: “America, America”. Emri i tokës së re, anderr e emigrantit për shpëtim, për një jetë të re.
… Nga larg, ndjehen si nëpër mjegull disa zhurmash tipike të një qyteti të madh (New York City)… në këtë moment, instrumenti i pianofortes luan pasazhe të ngushta virtuoze të cilat e krijojnë këtë sensacion.
… Dhe Anija afrohet gjithnjë e ma shumë nga bregu, gjithashtu rritet dhe optimizmi tek njeriu i mirë… Tashma, “kembanat” (akordet e ngjashme disí me ato të intros tek koha 1) nuk tingullojnë më zymtshëm si përpara…
-Një Kadencë pianistike fantastike plot me nota të shpejta përmbi një akord Jazz të “tredicezimës” e shkund vëmendjen e dëgjuesit dhe e projekton atë tek “vëndi i ri” i sapo arritur.
-Repriza (pjesa e tretë), ripropozon temen e kohës së dytë me një finale në rritje plot dritë dhe akorde me tingullime të përaferta me atmosferat e orkestrave alla Broadway …. Tashma, “Drità” e ka mposhtë Terrin.
—
Koha e Tretë (Rondò) hapet nën një tension ritmik orkestral, i cili mbas një arpezhi pianistik të stermadh në kombinim mes të dyja duarve, pergatit lojën tepër të vështirë pianistike e cila Prezenton Temën Kryesore të ngjyrosur tek-tuk me pasazhe me një kromatizëm të përafërt me “blue notes” (notat blu të muzikës Jazz).
-(prelud): Tema e parë e cila luan rolin e refrenit e që paraqitet disa herë në formen muzikore Rondò, është një Temë e shkathët që në degjim, krijon sensacionin e një qyteti modern i cili “zgjohet” mes burijash makinash, zhurma motorësh dhe thashetheme njerëzish që presin ajërin e ftohtë të një mëngjezi relativisht me kohë të mirë.
Njeriu del në qytet, përzihet me turmën,… e lë veten të trasportohet nga turma dhe qarkullimi i mjeteve në qytet… dhe papritmas, ndjehet i lirë dhe: I Lumtur.
-Episodi i parë Prezenton një Temë Lirike (Tema qëndrore) të luajtur fillimisht nga Orkestra, dhe menjëherë pas, nga pianoforte. Bëhet fjalë për një nga Temat më të bukura që mund të jenë shkruar ndonjëherë: plot me dritë dhe shpresë. Një anderr që bëhet realitet.
-(interludi i dytë): ndërkohë zhurma e qytetit rikthen personazhin tonë “me këmbë në tokë”… ajo vazhdon të shtohet. Kështu, njeriu “krillet” sërishmi në vorbullen e jetës…… në këtë pjesë, muzika zhvillohet si nga ana teknike pianistike gjithashtu dhe nga aspekti kompozicional, përmes kontrapunktit, atmosferave atipike të një polifonie møderne… ndërkohë, në notat e muzikës shfaqen edhe me disa tingëllime të zymëta, (të cilat na kujtojnë të kaluarën) por që ikin shpejt, të tërhequra nga dinamizmi i “qytetit që kurr nuk flen”!
-Episodi i Dytë, ripropozon Temën qëndrore duke e shpalosur tashma të plotë me disa ndryshime përmbi instrumentin e pianos…. Atmosfera pozitive e saj, tashma e zapton pianoforten, pianistin, orkestren… dhe dëgjuesin…. Në muzikë nuk ka më tingullime të trishtuara, por veçse dinamizem…
-kështu, nis (interludi i tretë), plot gjadhëri dhe optimizëm për një jetë të re, një fillim të ri, një shans i dytë.
… këtu, shohim se si loja e pianofortes intensifikohet deri në atë pikë så së bashku me orkestren SHPERTHRJNË, në një akord plot rezatim i cili ndiqet nga një “ujvarë notash” në formë arpezhi të kombinuar i cili i paraprin Temës qëndrore e cila luhet për herë të fundit.
-(Episodi i Tretë) dekreton fitoren e dritës përmbi errësirën. Tema “kendohet nga orkestra e cila luan Melodinë e mrekullueshme nga Harqet që ngjasin me murlanin kur fryn fort, ndërkohë pianoforte, si një hero madhështor,” fluturon mes erës” me një miks të komplikuar teknikash akordike të cilat çojnë tek…
-(Finale), një lëvizje jashtëzakonisht dinamike notash të cilat dëshmojnë dinamizmin e jetës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Këtu poshtë: Koncerti numër 2 i Sergei Rachmaninov: